Jashar Erebara nje figure historike e lene ne harrese

Ne kete fillim viti shkollor desha te perkujtoj e te nderoj me gjithe respektin tim, por edhe te gjithe armates se arsimtareve te ndershem e te perkushtuar _ ka ende te tille!!_, nje figure qe i dha arsimit shqip cdo gje.

FIGURË HISTORIKE E LËNË NË HARRESË
JASHAR EREBARA
Një post-Rilindas që sakrifikoi jetën e tij për zhvillimin e arsimin e popullit të vet.
Jashar Erebara hyri në skenën politike shqiptare në fund të shekullit XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX, pra i takon periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Erebara ka qene një personalitet i gjithanshëm që nuk kurseu asgjë për të mirën e kombit. Ai ishte një patriot i rrallë dhe demokrat-revolucionar përmasash të gjera. Shumë herë u angazhua në lëvizjen kombëtare për liri e pavarësi. Ishte i ndërgjegjshëm se për të arritur lirinë, duheshin punë e sakrifica të mëdha, sidomos po të kihej parasysh qëndrimi i Fuqive të Mëdha dhe aspiratat e fqinjëve tanë ndaj trojeve shqiptare. Qysh i ri, si nxënës i Shkollës Normale të Bukureshtit ra në kontakt me personalitetet e njohura të lëvizjes kombëtare shqiptare si Nikolla Naço, Mihal Grameno, Ibrahim Temo, Dervish Hima, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Mit’hat Frashëri, Bajram Curri, Nikolla Ivanaj, Mehmet Frashëri, Gjergj Qiriazi, Hamdi Ohri, Luigj Gurakuqi, Pandeli Evangjeli, Thoma Avrami, Vëllezërit Frashëri, Dervish Biçaku, Naum Sotiri, Visar Dodani, Hoxha Kadriu, Bedri Pejani, Shahin Kolonja, Mitrush Kuteli, At Gjergj Fishta, Jani Vreto, Kristo Meksi, Hil Mosi,Vasil Zagrafi, Çerçiz Topulli, Toma Çami si dhe me veprimtarë të tjerë të kësaj periudhe me të cilët pati një bashkëpunim tepër të ngushtë dhe mjaft të suksesshëm.
Në kohën e Perandorisë Osmane, Stambolli ka qenë ndër qendrat më të rëndësishme të veprimtarisë politike, atdhetare dhe kulturore-arsimore të rilindasve tanë. Duke u mbështetur në programin e Lidhjes së Prizrenit intelektualët shqiptarë që vepronin në Stamboll në saje të përpjekjeve të parreshtura arritën të formonin “Shoqërinë e të shtypurit shkronja shqip”. Kjo shoqëri u themelua më 12 tetor 1879 në Stamboll, dhe shumë shpejt arriti të hartonte alfabetin unik të shqipes.
Idetë e Riindasve përhapeshin me të madhe ndër shqiptarë. Pas shoqërisë së Stambollit në skenë doli edhe shoqëria “Drita” e Bukureshtit e formuar më 10 gusht 1884. Më pas u formuan edhe shoqëri të tjera si “Dëshira “ e Sofjes e themeluar natën e vitit të ri 1893, nga disa shqiptarë të jugut. Vlen të theksohet se të gjitha këto shoqëri nxorën organet gjegjëse të tyre, gazeta e revista etj, përmes të cilave i përhapnin idetë patriotike në masat popullore. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luajti shtypshkronja “Mbrothësia” e Luarasit, klubi “Bashkimi” i Manastirit, klubi “Arsimi” i Shkupit, klubi i Kumanovës i themeluar nga Jashar Erebara në janar të vitit 1990.
Me gjithë veprimtaritë që zhvilluan këto klube, nuk kishin arritur ende të siguronin një qendër të vetme drejtuese e cila të organizonte, të drejtonte dhe të kontrollonte mbarë lëvizjen shqiptare. Pra vetëm kërkohej një bashkërenditje më e mirë e veprimtarisë së klubeve. Nisur nga kjo nevojë, në vitin 1908 u mbajt një mbledhje në Manastir. Aty morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha klubeve shqiptare. Në atë tubim, klubit të Manastirit iu njohën njëzëri funksionet e klubit qendror. Ky pastaj filloi të bashkërendonte veprimtaritë e tyre. Tani në rradhët e këtyre klubeve vërehet një aktivitet më i organizuar, më i dendur dhe shumë më frytdhënës.
Punë të mëdha në këtë drejtim kryen patriotët dhe veprimtarët e shquar të çështjes shqiptare si Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Jashar Erebara, Hoxh Kadriu etj. Vlen të theksohet se me angazhimin personal të Jashar Erebarës këto klube u hapën edhe degët e e tyre edhe në disa qendra edhe më të vogla si në Kaçanik, Ferizaj, Besianë.
Pos veprimtarisë kulturore-arsimore, këto klube luajtën edhe një rol tjetër të rëndësishëm, siç qenë mobilizimi i masës së gjerë rreth Lëvizjes gjithëshqiptare për Pavarësi, kundërvënia politikës antishqiptare që zhvillohej atëbotë, pjesmarrja në tubimet e ndryshme ndërkombëtare, ku delegacioni shqiptar shtronte kërkesat e tij. Kështu ndodhi në Kongresin Xhonturk të Parisit, pastaj u hartuan dokumenta të ndryshëm si Memorandumi i Bukureshtit (1896), Promemorja- drejtuar Sulltanit (dhjetor1897-janar1898), Memorandumi i “Shoqërisë Kulturore Shqiptare” (1900), Thirrje, Memorandum dërguar Konferencës së Hagës (1907) etj.
Në bazë të dokumentacionit arkivor të kësaj periudhe, si dhe të botimeve të publikuara që u morën me ndriçimin e këasj çështjeje tejet komplekse, bie në sy se Jashar Erebara ndodhej kudo dhe qe mjaft aktiv në të gjitha këto veprimtari.
Duke përfaqësuar programin politik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe begatimin e tij me idetë demokratike të kohës, të gjithë veprimtarët e kësaj periudhe i dhanë një shtytje të madhe luftës së popullit shqiptar për liri e pavarësi. Atëbotë punohej në shumë fronte, secili ishte i gatshëm të sakrifonte për këtë çështje madhore të popullit tonë.Ata që ishin në gjendje që kontribuonin e bënin këtë si me penë, aq edhe me pushkë. I tillë ishte edhe Erebara.
Jashar Erebara zhvilloi një veprimtari të llojllojshme atdhetare. U mor me çështjen e shkollave dhe të arsimit. Me iniciativën e tij u hapën mjaft shkolla në Maqedoni dhe në Kosovë. Ka qenë një njohës i mirë i arsimit. Zhvilloi një veprimtari të begatshme arsimore e publicistike. Me sukses udhëhoqi gazetën “Shkupi” të Shkupit dhe “Albania” të Beogradit. Në të dy këto gazeta u shqua për shkrimet e tij analitike dhe me përmbajtje të thukët.Prore qëndroi në anën e popullit që I takoi. Me gjithë kërcënimet që i bëheshin nga armiqtë e popullit shqiptar ai qëndroi i palëkundur. Ishte një trim i paepur. Kurrë nuk iu shmang rrugës së nisur.Punën e çonte gjer në fund. Si njohës i mirë i arsimit dhe si arsimdashës i flaktë, më 1911, arriti të hartonte abetaren e Kumanovës, të njohur me emrin Abc-ja e Jashar Erebarës, e cila u shpërnda edhe në mjedise të ndryshme të Kosovës.
Erebara bashkëpunoi me shumë atdhetarë të asaj periudhe. Shumë aksione që u ndërmorrën në atë kohë, ishin të përbashkëta. Andaj është mjaft e vështirë të veçohet dhe të trajtohet veçmas prej rilindasve të tjerë veprimtaria e këtij personaliteti. Në vitin 1900 Erebara, sëbashku me Himën arritën të nxirrnin në Bukuresht gazetën me titull “Indipendentia Albanie”. Edhe pse dolën vetëm dy numra ajo mbetet e shënuar si një gazetë mjaft cilësore me informacione të zgjedhura dhe me një fizionomi të lakmueshme.
Sadoqë Jashar Erebara në një periudhë punoi jashtë atdheut, snjëherë nuk i ndërpreu kontaktet me të. Me kujdes ndiqte çdo ngjarje që ndodhte atje. Si të gjithë veprimtarët e kësaj periudhe, edhe ky ishte i lidhur ngushtë me trojet shqiptare. Të ardhmen e popullit shqiptar e shikonte me një optimizëm të matur. Me kohë u vu në mbrojtjen e interesave shqiptare. Atë nuk e friksuan kërcënimet që vinin nga sulltanati. Për aktivitetin që zhvilloi ai, dëshmia më e mirë janë letërkëmbimet e shumta me personalitetet e njohura të kësaj periudhe.
Në periudhën 1911-1912, Jashar Erebarën do ta gjejmë në Shkup. Këtu ai do të nxjerrë gazetën “Shkupi”. Ishte kjo e para gazetë shqipe për trevat e Kosovës dhe të Maqedonisë, e cila me një besnikëri të rrallë pasqyroi kërkesat politike, arsimore dhe sociale të kombit shqiptar.
Se Jashar Erebara ishte një personalitet i shquar, dëshmojnë edhe të dhënat se atë në vitin 1913 do ta gjejmë në Qeverinë e Ismail Qemalit. Duke patur parasysh aftësitë organizuese të Erebarës, Ismail Qemali do t’i japë postin e Komisionit Agrar në Fier. Ndërkaq në vitin 1914 ai do të jetë në Durrës.Në këtë kohë sëbashku me një grup shokësh, do të shkojë në Vienë për të shtruar një varg kërkesash që kishin për qëllim pengimin e copëtimit të trojeve shqiptare dhe lejimin e shkollave shqipe, në anën tjetër. Më 1915 Jashar Erebara me një grup atdhetarësh do të botojë organin “Biblioteka zëri i Shqipërisë”. Më 1916 Erebarën do ta gjejmë në Prishtinë në postin e Komisarit Qeveritar pranë Bashkësisë së Prishtinës. Më 1918 së bashku me Bajram Currin, Erebara me cilësinë e sekretarit të “Komitetit të Kosovës”, do të shkonte në Vjenë për të përfaqësuar “Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës”. Për aktivitetin që zhvilloi në Prishtinë, Jashar Erebara do të ndiqet nga bullgarët të cilët e zunë dhe e internuan për 18 muaj në Karllovc.
Pas kundërrevolucionit në Shqipëri e deri në vitin 1939, Erebaran do ta gjejmë në Parlamentin Shqiptar si deputet të Dibrës. Gjatë kësaj periudhe do të jetë shumë aktiv. Sidomos qe angazhuar për përmirësimin e bazës materiale të arsimit. Në vitin 1921 ai është anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe anëtar i shoqatës “Djemuria Dibrane”, në të cilën ai u përpoq të lehtësonte kushtet e dibranëve të ardhur. Duke çmuar se ekonomia e Shqipërisë ndodhej në një nivel shumë të ulët, ai bëri përpjekje për të rimëkëmbur atë. Për idetë dhe aksionet që mori në Parlament ai la të kuptohej se ishte shumë njohës i mirë i problenmeve të ekonomisë. Si duket, tek Erebara do të ketë ndikuar Mitrush Kuteli, me të cilin pati miqësi të ngushtë, i cili ishte një nga njohësit më të mirë në Ballkan.
Si deputet në Parlamentin Shqiptar, Erebara ishte njëri ndër personalitetet më të respektuara dhe më të popullarizuara. Gjithëherë qëndroi në anën e të varfërve dhe të hallexhinjve.Duke reaguar në Parlamentin Shqiptar ai theksoi ashpër se “ata ( Kosovarët muhaxhirë) janë vëllezërit tanë, të të njëjtit gjak, të cilët duhet pranuar si vëllazër, pa kurrfarë diskriminimi”. Në këtë periudhë kemi një dokumentacion në formën e letër-këmbimit të shumtë përmes të cilit ai mbante lidhje me popullin, sepse njerëzit i drejtoheshin gjithnjë atij për ndihmë.
Erebara i ruajti me xhelozi ato thirrje, protesta, memorandume e peticione drejtuar Stambollit e Fuqive të Mëdha apo edhe letërkëmbimet e shumta që pati me personalitete të shquara të kohës, i cili sot ruhet në Arkivin Qendror të Tiranës. Është kjo një trashëgimi ndër më të të rrallat e me një vlerë të posaçme për njohjen e historisë sonë. Dokumentacioni është i llojllojshëm, i shkruar në shumë gjuhë, gjuhën turko-osmane, angleze, frënge, arabe, shqipe, serbokroate dhe maqedone. Ky fond është sistematizuar në 4500 faqe dhe i ndarë në 134 dosje.
Në vitin 1940 ai pensionohet. Në këtë kohë ai arrin të sistematizojë dokumentacionin e tij të shumtë përmes të cilit hidhej dritë në aktivitetin e shoqatave atdhetare e të tjerave pothuaj në të gjitha trevat shqiptare por edhe në ato vende ku u përqëndrua aktiviteti i tij dhe i shokëve të tij, si në Bullgari, Rumani, Stamboll, Shkup, Prishtinë, Vienë etj.
Pas vitit 1945 e deri më 1953, Jashar Erebara ishte personi më i përbuzur nga sistemi totalitar komunist. Atij iu bë një trajtim jonjerëzor. Ishin çastet më të vështira të jetës së tij. U deturua të shiste libra nga biblioteka e tij përrallore vetëm e vetëm për t’u ushqyer. U shpronësua dhe u ngushtua në shtëpinë e tij. Në këtë kohë filloi një “luftë” për njohjen e meritave të tij, gjë që sistemi herë ia njohu, e herë ia hoqi. Motivacioni: “…ka qenë deputet në regjimin antipopullor të Zogut”. Kërkesat e tij për drejtësi qeveria komuniste iu përgjegj:… “nuk ke sjellë ndonjë shpërblim të çmueshëm Atdheut!…”
Kulmi mbërriti në vitin 1950 kur atë do ta nxjerrin me dhunë nga shtëpia e tij në Tiranë dhe do ta vendosin në Berat. Ky urdhër pas shumë ndërhyrjesh u anullua. Shtatori i vitit 1952 do ta gjejë pa kurrfarë mjetesh materiale.( S a e turpshme! Ta mendosh sot!)
Më 24 qershor 1953 ai mbyll sytë përgjithmonë. Varrimi i tij u bë vetëm me 5-6 anëtarë të familjes së ngushtë. Më shumë nuk u lejua nga pushteti i kohës. Sot varri i tij gjendet në varrezat e Teqesë së bektashinjve në Tiranë.
Ishte kjo një jetë me kthesa të mëdha. Me batica e zbatica, me ngadhnjime e zhgënjime, por vepra e tij do të jetojë gjithmonë dhe do të jetë një frymëzim i përhershëm për gjeneratat e reja. Emri i tij është rradhitur në rradhët e Rilindasve tanë, për çka do t’i bëjë nder mbarë kombit shqiptar.
Përgatiti: Mimoza EREBARA
Marre nga Gazeta “Rruga e Arberit”

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s